ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Themelimi i partive politike në Maqedoni

Themelimi i partive politike në Maqedoni

Zhvillimi i ngjarjeve në mbarë Evropën Lindore dhe në Jugosllavinë socialiste ndikoi që edhe në Maqedoni të lind pluralizmi politik, me ç’rast u rrëzua sistemi i mëparshëm monist. Sistemi i ri pluralist ngjalli shpresë edhe tek shqiptarët e Maqedonisë, kinse do të bazohet mbi baza të demokracisë parlamentare, duke u siguruar të gjithë popujve barazi të plotë dhe të drejta kombëtare.

Në Maqedoni për një periudhë mjaft të shkurtër u formuan shumë parti politike që përfaqësonin shtresa të ndryshme shoqërore dhe etnitete të ndryshme, të cilat me programet e tyre përpiqeshin të imponohen në popull. Një numër i madh i tyre nuk arritën të legjitimohen gjatë zgjedhjeve, por tentuan të mbeten në skenën politike. Nga blloku maqedonas, partitë më të rëndësishme ishin:

MAAK – Lëvizja për Aksion Gjithëmaqedonas, në krye me Gane Todorovskin, si parti e parë e formuar, e cila angazhohej për mbrojtjen e interesave të maqedonasve, brenda dhe jashtë Maqedonisë. Ajo angazhohej, kryesisht për shtet të pavarur të Maqedonisë.

Ish-Lidhja Komuniste e Maqedonisë u reformua me emër të ri, Partia për Transformim Demokratik (LKM-PTD) në krye me Petar Goshevin5. Kjo parti ofronte kryesisht ish anëtarët e Lidhjes Komuniste të Maqedonisë. Në Kongresin e saj të parë, pas transformimit, më 1991 e ndërroi emrin në Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë – LSDM.

Ish-Lidhja Socialiste e Maqedonisë, filialë e dikurshme e LKM u formua si parti më vete me emrin Partia Socialiste e Maqedonisë, në krye me Kiro Popovskin.

VMRO-DPMNE (Partia Demokratike për Bashkim Kombëtar Maqedonas) u formua si parti që synonte bashkimin e gjithë maqedonasve në një shtet. Në krye të saj ishte Lupço Georgievski6. Kjo parti, konsiderohej parti e djathtë politike me orientim nacionalist.

Lidhja e Forcave Reformiste, të cilën e inicoi kryeministri i fundit jugosllav, Ante Markoviq, pretendonte të bëhet një parti gjithëjugosllave. Kryetar i saj, në Maqedoni, u zgjodh Stojan Andovi7. Më 1991, kjo parti u bashkua me Partinë e Re Demokratike dhe kështu u formua Lidhja Reformiste e Maqedonisë-Partia Liberale.

Nga blloku shqiptar, në Republikën e Maqedonisë, u formuan dy parti politike: Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), e pak më vonë edhe Partia Demokratike Popullore (PDP).

Partia për Prosperitet Demokratik u formua më 16 prill, 1990, në Xhepçisht të Tetovës, kryetar i së cilës u zgjodh z. Nevzat Halili8. Kjo parti u legalizua kur doli Ligji për partitë politike, me ç’rast Partia për Prosperitet Demokratik u regjistrua si parti e parë shqiptare më 25 maj, 1990. Kjo parti ngjalli entuziazëm në mesin e popullatës dhe inteligjencies shqiptare në përgjithësi. Edhepse sipas programit të saj, ajo nuk ishte parti kombëtare, sepse në përcaktimin programor të kësaj partie, thuhet: “Partia për Prosperitet Demokratik është parti qytetare. Ajo është parti e qytetarëve të përkatësisë kombëtare shqiptare, muslimane, turke, maqedonase, vllehe, rome …”10. Megjithatë, ky subjekt politik arriti që rreth vetes të ofrojë shtresa të ndryshme shoqërore të shoqërisë shqiptare. Në Partinë për Prosperitet Demokratik (PPD) hynë ish anëtarët e Lidhjes Komuniste, ish të burgosurit politik shqiptar dhe shumë anëtarë me bindje të ndryshme politike.

Partia tjetër shqiptare, Partia Demokratike Popullore (PDP) u formua më 23 qershor, 1990. Me formimin e saj filloi pluralizmi politik edhe ndër shqiptarët e Maqedonisë. Kryetar i parë i saj u zgjodh mjeku nga Tetova, Jusuf Rexhepi11.

Partitë politike shqiptare në Maqedoni lindën në rrethana të shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste. Në këto rrethana ishte krijuar momenti kur duhej të ndërmerrej diçka për zgjidhjen e çështjes shqiptare në shtetin që shpërbëhej. Shumë veprimtarë politik të çështjes shqiptare dolën nga ilegaliteti (disa prej tyre u liruan nga burgjet jugosllave, Z. R.) për t’u angazhuar në veprimtaritë legale politike. Qëllimi kryesor i angazhimit politik të tyre ishte që të imponojnë zgjidhjen e çështjes shqiptare përmes formave demokratike të luftës politike në rrethana të pluralizmit politik.

Por, duhet theksuar se partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk dallonin shumë në përcaktimet fundamentale programore. Të dy partitë e para shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore, e pranonin integritetin territorial të Maqedonisë. Pra, kjo do të thotë se zgjidhjen e çështjes shqiptare të shqiptarëve të Maqedonisë e shihnin brenda shtetit të pavarur të Maqedonisë.



5 Petar Goshevi, politikan maqedonas, njëri nga reformatorët e Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë. Në prag të fillimit të proceseve të reja pluraliste ai udhëhoqi Lidhjen e Komuniste të Maqedonisë së reformuar. Mbështetej, kryesisht, nga qarqet e ish Lidhjes së Komunistëve. Më vonë dha dorëheqje për të formuar parti të re politike, ndërsa, partia e tij do të riemërohet nga Lidhja Komuniste e Maqedonisë-Partia për Transformim Demokratik, në Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë.

6 Lupço Georgievski, politikan maqedonas. Në skenën politike doli në vitin 1990, si kryetar i partisë së djathtë politike maqedonase, VMRO-DPMNE. Pikëpamjet e tij nacionaliste, nuk përputheshin me politikën e qarqeve serbe dhe ekspoziturën e tyre në Maqedoni.

7 Stojan Andovi, politikan maqedonas, ishte kryetar i Lidhjes së Forcave Reformiste, parti që u formua nga Kryetari i qeverisë së fundit jugosllave, Ante Markoviqi. Andovi ishte ekspozitura e tij në Maqedoni.

8 Nevzat Halili, kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), u lind në vitin 1946, në fshatin Poroj të Tetovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Normalen në Tetovë, kurse Fakultetin Filologjik, drejtimi: Gjuhë dhe letërsi angleze, në Shkup, në vitin 1970. Prej atëherë e deri me ardhjen e tij në postin e kryetarit të PPD, si profesionist, ka punuar në Shkollën e mesme të mjekësisë, si profesor i Gjuhës angleze. >>Flaka e vëllazërimit<<, “Nevzat Halili u zgjodh kryetar”, 1992.

10 Programi i Partisë për Prosperitet Demokratik, i sjellur në Kongresin e Parë, Arkivi i PPD, Tetovë.

11 Dr. Jusuf Rexhepi ishte veprimtar i vjetër politik në qytetin e Tetovës, i njohur që nga Lufta e Dytë Botërore

Arkivi